Blog i KS Lushnja > Miresevini LUSHNJA WARRIORS

Qetësia, “arma” kryesore e Lushnjës

Shtator 19, 2008 · Lini një Koment

dhe pse humbën dy ndeshje, verdhejeshilët me qetësi e kaluan minikrizën, duke u zhbllokuar

Verdhejeshilët e drejtuar nga Sajmir Malko dhe ndihmësi i tij Gëzim Beda, si dhe përgatitësi atletik i ekipit Llazar Gjika, kanë vijuar edhe dje përgatitjet në kuadër të ndeshjes së radhës në kampionat. Transferta e Bylisit është konsideruar mjaft e rëndësishme nga të gjithë në kampin lushnjar dhe po punohet për të riparuar edhe ato mangësi e gabime që u vunë re në ndeshjen me Flamurtarin. Kështu, dy seancat stërvitore paradite e pasdite janë programuar në mënyrë që të punohet për gjendjen fizike paradite dhe për përmirësimet në teknikë pasdite. Pasi kanë filluar përgatitjet e ekipit për ndeshjen e radhës, prej së hënës, stafi teknik ka përgatitur një plan stërvitor, ku reparti i mbrojtjes është duke u stërvitur pasditeve jo me grupin e futbollistëve të tjerë, të cilët janë duke punuar me topin dhe me goditjet në kuadrat. Optimizmi është i lartë te të gjithë futbollistët, në krahasim me javën e kaluar, pasi fitorja dhe tri pikët e para në kampionat i kanë ngrohur shpresat për një ecuri të mirë të ekipit në ligën superiore. Seanca e pasdites së djeshme është shfrytëzuar edhe për një ndeshje kontrolli nga stafi teknik, por në ndryshim nga seancat e zhvilluara që nga fillimi i javës në aneksin dhe fushën e stadiumit “Roza Haxhiu”, kjo ndeshje kontrolli është luajtur në fushën sportive të Plugut. Përzgjedhja e këtyre ambienteve larg vëmendjes së tifozerisë konsiston në mbajtjen në qetësi të plotë të futbollistëve para një sfide tepër të rëndësishme të ekipit verdhejeshil, kur na ndajnë edhe dy ditë nga ndeshja e javës së katërt, ku prej ekipit kërkohet përqendrim dhe punë në realizimin e detyrave që ka ngarkuar stafi teknik. Sigurisht që gjendja tanimë nuk është ajo e dy javëve të shkuara dhe futbollistët janë më të çliruar psikologjikisht për takimin e radhës, ku duhet patjetër të krijojnë një vazhdimësi të rezultateve. Në fakt, të gjithë futbollistët të mësuar tashmë me idenë se nuk duhet të prononcohen pa lejen e drejtuesve të klubit dhe janë të kursyer në fjalët e tyre, por nuk mund të mos dallosh dëshirën e tyre, kur thonë se do të luajnë për t’u paraqitur sa më mirë. Prej ditësh, me ekipin lushnjar nuk stërvitet Xhafa, që po vuan një tërheqje muskulore, e cila e detyroi të qëndrojë jashtë fushës në ndeshjen e javës së kaluar. Edhe Elezi është i dëmtuar, edhe ai me të njëjtën diagnozë si mbrojtësi, por tri javë më parë. Në të trija ndeshjet e javëve të luajtura deri më tani në kampionat, formacioni i ekipit verdhejeshil nuk ka qenë i njëjtë, por janë bërë lëvizje në të. Kjo duket për t’iu përshtatur kundërshtarëve dhe sigurisht që për ndeshjen me ekipin e Bylisit, trajneri Malko në konsultim edhe me specialistët e ekipit, do të përshtasë futbollistët në funksion të situatës.

Kategori: Uncategorized

0 responses so far ↓

  • There are no comments yet...Kick things off by filling out the form below.

Lini një Koment