Blog i KS Lushnja > Miresevini LUSHNJA WARRIORS

Lushnja përmbys gjithçka, mrekulli në Peqin

Tetor 5, 2008 · Lini një Koment

Shkumbini gabon rëndë në fushën e tij, ndërsa lushnjarët marrin pikët e para jashtë fushe

Shkumbini – Lushnja 1-2
Shënues: Turdiu 16′ (11-m), Bubeqi 44′, G.Çela 75′ (11-m)

Shkumbini: Llani, Gallo, Grami, Pashja, Shameti, Shenaj, Bizhyti (Gërxho 71′), Delioski (Dervishi 30′), Turdiu, Nora, Rizvanolli. Trajner: G.Magani.
Lushnja: Spaho, E.Çela, Xhafa, Hasalla, P.Arbri (Dhima 76′), G.Çela, G.Arbri (Topi 70′), Bubeqi, K.Arbri, Bokotola, Korreshi (Sekseri 32′). Trajner: S.Malko.
Gjyqtarë: B.Pashaj, S.Avdo, D.Agaraj (Tiranë)
Kartonë të verdhë: E.Çela, Spaho, K.Arbri
Karton i kuq: Turdiu

“Radiografia”
5′ Tentativa e parë i takon Lushnjës, kur P.Arbri me një gjuajtje nga distanca provon, por përfundon jashtë.
10′ Kundërpërgjigjet Shkumbini me Turdiun, që del i vetëm përballë portierit Spaho, por harkon keq mbi portë.
16′ Aksioni i Shkumbinit ndërpritet pas ndërhyrjes së parregullt të mbrojtësve lushnjarë ndaj Shenajt brenda zonës, dhe 11-metërsh, që e merr përsipër Turdiu, i cili realizon. 1 0 për Shkumbinin.
19′- Mundësi e mirë e Lushnjës për të barazuar me Bubeqin, që me portën bosh, gjuan keq mbi të.
25′ Topi i harkuar nga goditja e këndit zotërohet nga Gërxho, i cili gjuan me kokë, por Spaho tregohet i vëmendshëm, duke e grushtuar në goditje këndi mbi tra.
33′- Shkumbini rrezikon me Bizhytin, por gjuajtja e tij me kokë përfundon paksa mbi shtyllën e sipërme.
35′ Kundërsulmi i Lushnjës mbyllet me gjuajtjen nga e djathta e K.Arbrit që grushtohet saktë nga Llani.
44′ Bubeqi përfiton nga hezitimi i mbrojtjes vendëse për të dalë përballë portierit, duke u treguar i saktë me gjuajtjen e bërë. Lushnja barazon në 1 1.
52′ Pas gjuajtjes së Bokotolës, Shameti për pak shkakton autogol në portën e vet.
54′ Kundërpërgjigjet Shkumbini me gjuajtjen e fortë të Shenajt, që “qeth” traun e sipërm të portës së Spahos.
57′ Shameti ka pasur të gjitha mundëistë për të shënuar i vetëm përballë portës, por ia “dhuron” topin Spahos.
72′ Topi, i sapofutur në lojë, për pak nuk shënon me kokë.
75′ G.Çela është treguar i saktë nga pika e 11-metërshit të fituar pas një ndërhyrje të gabuar. 1 2 për Lushnjën.
89′ Dervishi kthen topin për Gërxhon, i cli gjuan fort, por jashtë.
93′ Nora ka shmangur edhe portierin Spaho, ka gjuatjur në portë, por një mbrojtës largon topin e shpëton nga goli i barazimit.

Komenti
E pabesueshme dje në Peqin, teksa Lushnja ka përmbysur gjithçka ndaj Shkumbinit dhe ka marrë tri pikë të arta në transfertë. Ekipi i Shkumbinit diti të shfaqë që në fillim ambiciet e veta, duke luajtur me grintë për të zotëruar topin e parë dhe do të jenë ata që do të rrezikojnë të parët portën e Llanit, por fundi ishte i hidhur. Me kalimin e minutave Shkumbini organizohet më mirë dhe krijoi epërsi në fushë, duke u shfaqur rrezikshëm në portën e Spahos. Në këto minuta të mira do të vijë edhe goli i parë që shënohet nga pika e 11 metërshit prej Turdiut. Goli i shënuar krijon përkohësisht idenë që ai do të pasohej nga të tjerë gola të Shkumbinit, por që mbeti vetëm dëshirë e asgjë më shumë. Kundërshtari arrin të përfitojë nga kjo përgjumje e vendësve, për ta ndëshkuar në fundin e pjesës së parë me golin e Bubeqit. Eshtë ky rezultat që mbyll këtë pjesë, duke pritur që vendësit të reagojnë, për t’u treguar më të saktë dhe për të kaluar në epërsi. Fillimi i kësaj pjese është i mirë, duke i detyruar miqtë të luajnë më të tërhequr e më të kujdesshem për mbrojtjen. Shkumbini lodhet shumë, duke harxhuar jo pak energji, por duke mos ditur ta kërkojë e ta gjejë golin. Mungesa e golit i tensionon jo pak dhe nga kjo kundërshtari kërkon të përfitojë me lojën me kundërsulme, duke kërkuar të shfrytëzojë hapësirat që krijohen. Bubeqi, Bokotola e K.Arbri kombinojnë mirë, duke krijuar shpesh alarm në prapavijën e Shkumbinit. Dalja e Turdiut me karton të kuq ndikoi te Shkumbini, që luan me një futbollist më pak dhe u jep edhe zemër lushnjarëve për të pretenduar më shumë se barazimi. Këtë e arrin me golin e G.Çelës me 11-metërsh. Më pas Shkumbini bën gjithçka, krijon epërsi në çdo drejtim, por nuk arrin ndryshimin e rezultatit. Ekipi i Shkumbinit dje ka pësuar humbjen e parë në Peqin për këtë kampionat dhe këtë ia shkaktoi një ekip si Lushnja, me shumë probleme për këto javët e para. Duhet pranuar se ishte një fitore e merituar e ekipit të Malkos, që morën tri pikët, duke e tejkaluar objektivin që kishin për këtë takim, pasi në Peqin nuk kishin shkuar më shumë se barazimi më parë. Loja e djeshme, në një terren të rënduar nga shirat, që nuk munguan edhe gjatë 90 minutave, nxorri fitues ekipin lushnjar, që diti të përshtatej më mirë, duke luajtur thjesht e me kundërsulme. Pavarësisht epërsisë që krijuan vendësit në lojë e në raste, fitues ishin miqtë nga Lushnja, duke hedhur poshtë pretendimet e Shkumbinit për një fitore të sigurt. Ky rezultat është një ndëshkim për vendësit që nuk ditën të shfrytëzonin rastet që patën, si për të argumentuar atë që njihet në futboll se, po nuk shënove, do ta pësosh. Në takimin e djeshëm janë të shumta rastet e humbura nga futbollistët e Shkumbinit, pikërisht nga sulmuesit Rizvanolli e Nora, por edhe nga mesfushori Bizhyti, Shenaj, Turdiu, pa harruar edhe mbrojtësin Shameti. Ishte një epërsi e pakonkretizuar e të besuarve të Maganit, që i shkoi për shtat ekipit lushnjar, duke luajtur me kujdes dhe duke ditur t’i përgjigjet lojës së Shkumbinit me grintën e treguar. Nëse nuk u shënua gol tjetër nga Shkumbini, merita është e mbrojtjes mike dhe e portierit Spaho, por më shumë se kjo, ishte dobësi e futbollistëve vendës, që sidomos dje, nuk patën qartësinë e duhur, u mungoi qetësia në pasin e fundit, duke e kërkuar me zor.

Deklarojnë:
Konferenca e shtypit nuk u zhvillua, pasi të dy trajnerët Gugash Magani i Shkumbinit e Sajmir Malko i Lushnjës nuk u paraqitën.

Të veçanta:
Edhe dje përpara fillimi të takimit me Lushnjën, si gjithmonë, nuk munguan fishekzjarret.
Në mesin e pjesës së parë ka filluar një shi i rrëmbyeshëm, që vazhdoi për 30 minuta, duke e rënduar edhe më shumë terrenin.
Tribuna qendrore ka qenë e mbyllur për shkak të punimeve që po bëhen, por moti i keq i ka detyruar që ajo të hapej në pjesën e dytë.
Ka filluar me 5 minuta vonesë pjesa e dytë, pasi vëzhguesi i FSHF së, B.Pregja, ka kërkuar që vijat kufizuese të fushës të vizoheshin përsëri.
Trajneri lushnjar S.Malko ka preferuar të ndjekë të gjithë takimin në këmbë, pavarësisht motit.
Interesimi i madh i mediave për takimin me Lushnjën, kr ishin të pranishëm, si asnjëherë tjetër, grupe televizive nga kryeqyteti.
Të dy kryetarët e bashkive, të Peqinit e Lushnjës, e ndoqën takimin pranë njëri tjetrit.

Kategori: Uncategorized

0 responses so far ↓

  • There are no comments yet...Kick things off by filling out the form below.

Lini një Koment