Blog i KS Lushnja > Miresevini LUSHNJA WARRIORS

Info nga KS LUSHNJA

  1. Lushnja, fillojnë ankesat e para të lojtarëve

    Autori: Julian Kasapi
    Data: 08/09/2008
    Version Print Version Print

Edhe pse diela ka qenë pushim, në qarqet futbollistike të Lushnjës vazhdojnë të komentohen rezultatet e dobëta të ekipit, sidomos ndeshja miqësore me Besën, që u luajt ditën e premte. Flitet se ekipit i nevojitet më tepër angazhim në lojë dhe nuk duhet të ngarkohet fizikisht. Edhe vetë futbollistët janë të lodhur nga seancat stërvitore, ku ashtu si edhe gjatë fazës përgatitore, zhvillohen vrapime të gjata dhe cirkuite, të cilat i bëjnë futbollistët të jenë tepër të lodhur dhe dëshira për të punuar me topin është jo ajo e duhura. Kështu e shpjegon një pjesë e mirë e specialistëve lushnjarë paraqitjen e futbollistëve të ekipit gjatë takimeve të deritanishme si në kampionat, ashtu dhe në ndeshjet miqësore. Java e tretë e kampionatit starton ditën e shtunë dhe për të shkuar deri aty, ekipit i duhet të bëjë një ndryshim sa i përket lojës së tij, në mënyrë që të justifikojë veten dhe stafin drejtues kundrejt tifozërisë dhe drejtuesve të klubit. Nëse këta të fundit nuk janë shprehur deri tani për mangësitë e vëna re në ekip, kjo nuk do të thotë se mund të vazhdohet pambarimisht me rezultate negative. Ndërsa tifozëria e ka dhënë tashmë sinjalin e saj, kur në ndeshjen e luajtur ditën e premte, veç “të sëmurëve” të përhershëm, nuk kishte edhe aq shumë në radhët e saj për të parë se në çfarë “ujërash do të notonte” ekipi. Loja e ekipit lushnjar nuk arrin të ketë rrjedhshmëri dhe kjo ka qenë një ndër arsyet për të cilat stafi teknik i skuadrës të përdorë më të shumtën e kohës që ka në dispozicion gjatë seancave stërvitore për të përsosur lojën me topin dhe teknikën e futbollistëve. “Të gjithë presim me padurim atë çast kur trajneri të thotë: Ngrihu në nxemje! Gjatë dy ndeshjeve të luajtura deri tani nuk jam i kënaqur nga mundësitë e aktivizimit nga stafi teknik. Ne në ekip mund të jemi shumë futbollistë në reparte të ndryshme dhe rivaliteti kuptohet që do të jetë i madh, por jo të mos futemi asnjë minutë në fushë. Për veten time jam një futbollist që kam bërë një fazë përgatitore mjaft të mirë dhe jam në formë, të cilën mund ta tregoj në fushë. Kam ardhur nga ekipi i moshave dy vjet më parë dhe shoh që mundësitë për t’u afirmuar janë tepër të vogla. Nëse askush nuk ka besim jo vetëm tek unë, por te një numër i madh futbollistësh, del se nuk jemi aq të zotët sa t’i shërbejmë ekipit. Kjo jo për fajin tonë, por për shkak të zgjedhjeve të stafit teknik gjatë ndeshjeve,” – ka thënë Mikel Canka, një ndër të rinjtë e ekipit lushnjar, i cili nuk ka shijuar ndonjë hapësirë të madhe aktivizimi. Ndeshja miqësore me të cilën stafi teknik pati mundësi të aktivizonte të gjithë futbollistët nuk e gjeti në një gjendje të qetë të riun, i cili pati mundësinë të shkurtonte diferencën e vënë nga kavajasit në minutën e 80-të, kur gaboi nga pika e 11 metërshit dhe mund ta çonte rezultatin në 2 3, po ja që të gjithë gabojnë.

  1. Malko: Problemet e brendshme, jo në media

    Autori: Julian Kasapi
    Data: 10/09/2008
    Version Print Version Print

Ka qenë trajneri i Lushnjës, Sajmir Malko, që ka vendosur heshtjen për shtyp në skuadër

Lushnja ka qenë nën kontrollin e stafit teknik sërish gjatë ditës së djeshme, ku janë zhvilluar dy seanca stërvitore, në të cilat është punuar për ndreqjen e gabimeve të vëna re gjatë takimeve të luajtura deri tani, në mënyrë që në ndeshjen e ditës së shtunë ndaj Flamurtarit për javën e tretë të kampionatit të futbollit, të arrihet një rezultat pozititv. Komentet e stafit teknik të skuadrës rreth heshtjes së kërkuar ndaj shtypit prej futbollistëve në fillim të javës së përgatitjeve për ndeshjen e ditës së shtunë janë bërë me pak takt dhe jo shumë transparencë. “Kam kërkuar personalisht heshtjen e futbollistëve për shtypin,” – ka thënë trajneri i ekipit të Lushnjës, Sajmir Malko, i cili më tej vazhdoi: “Prononcimet e futbollistëve të pakënaqur nuk bëjnë gjë tjetër, veçse përkeqësojnë gjendjen e skuadrës, kur jemi para një jave vendimtare dhe kyçe për ecurinë e skuadrës. Problemet e brendshme nuk kanë pse të dalin jashtë skuadrës.” Ndërkohë që, për të përmirësuar situatën në kampin verdhejeshil, kanë ardhur në ndihmë edhe specialistët e futbollit lushnjar, të cilët së bashku me stafin e trajnerëve të moshave të klubit, kërkojnë më shumë angazhim dhe ndërthurje të lojës së ekipit, duke e bazuar punën gjatë këtyre ditëve të mbetura deri ditën e ndeshjes me Flamurtarin. “Lojtarët e ardhur së fundmi në ekip e ndiejnë ende mungesën e ngrohtësisë në skuadër, megjithëse janë pritur mirë. Ne jemi munduar t’i zbërthejmë së bashku me ta shkaqet dhe të përmirësohen në lojën e tyre. Për shembull, mund të përmend Sekserin, i cili është i sapoardhur në ekip dhe duhen ende dhe disa javë që ai të përshtatet me linjën e kërkuar nga stafi teknik. Nuk është e lehtë që një futbollist, ku ka luajtur diku tjetër, të përshtatet kollaj. Niveli dhe kultura profesionale e këtij futbollisti më jep bindjen se ky do të jetë lideri i asaj që kërkojmë ne në mesfushë. E shpreh këtë se i ka të gjithë parametrat pozitivë. Ju do ta shikoni dhe atë ditë me Flamurtarin dhe kam bindjen se do të jetë Sekseri që do ta organizojë dhe ndërtojë më së miri të gjithë punën në mesfushë. Një futbollist, që të marrë përsipër organizimin, duhet të mbështetet në aftësitë, nivelin dhe eksperiencën që ka dhe mua më duket një lojtar i përshtatshëm,” – ka thënë specialisti i mirënjohur i futbollit lushnjar Albert Toshkëzi, këshilltar personal i presidentit të klubit të futbollit të Lushnjës, Sanxhaku. “Lushnja është duke e rritur nivelin dhe parametrat e sja. Pika më e dobët deri më tani është forca e kolektivit, e mishëruar në një ide që ka trajneri. Kjo ide është ide teorike dhe është e vështirë të futet në mentalitetin e çdo futbollisti, për ta bërë atë shumë rezultative gjatë një ndeshjeje. Duhet të kalojë një periudhë e gjatë kohore, ambientimi dhe mbështetjeje që të realizohet ideja e trajnerit,” – ka përfunduar Toshkëzi. Ndeshjet e shkuara janë hedhur pas krahëve. Tashmë në kampin verdhejeshil të gjitha forcat janë përqëndruar te ndeshja e radhës në kampionat. Por
ende nuk është hequr heshtja për shtyp e futbollistëve, e cila, sipas trajnerit Malko, do të zgjasë deri pas ndeshjes me Flamurtarin.

  1. Lushnjarët “izolohen”, heshtje për shtyp

    Autori: Julian Kasapi
    Data: 09/09/2008
    Version Print Version Print

Pas deklaratave të disa futbollistëve, një pjesë e tyre nën zë, për hapësirat e pakta në aktivizim, apo edhe për ngarkesën e madhe që po merret edhe në këtë ndërprerje kampionati, të pasqyruar këto edhe në “Sportin shqiptar”, dje interesimit tonë për mbarëvajtjen e stërvitjes, apo të një deklarate nga kampi lushnjar, i është mbyllur “dera”, sepse të gjithëve u ishte dhënë urdhër të mos flisnin për mediat. Një reagim ndoshta i ardhur nga ankesat e disa lojtarëve, por që duhet zbatuar nga të gjithë verdhejeshilët. Nuk dihet se sa do të zgjatë kjo heshtje për shtyp, por si duket këtë javë do të jetë e vështirë që dikush nga ekipi i Lushnjës të hapë “gojën” në lidhje me përgatitjet për ndeshjen e radhës së Flamurtarit.

Lushnja ka vetëm një rrugë, fitoren

Autori: Julian Kasapi
Data: 12/09/2008
Version Print Version Print

Në kampin verdhejeshil as barazimin me Flamurtarin nuk e shohin si kthesën e duhur

Përgatitjet e ekipit të futbollit të Lushnjës në kuadër të javës së tretë të kampionatit kombëtar të futbollit janë duke vijuar me ritëm të lartë, kur nga skuadra verdhejeshile kërkohet edhe një rezultat pozitiv. Rezultatet e skuadrës në javët e para të kampionatit nuk kanë qenë bindëse dhe po ashtu edhe paraqitja e futbollistëve në fushën e blertë. Stafi teknik, nga ana e tij, ka mbyllur çdo komunikim të futbollistëve me mediat dhe kjo për arsye të qetësisë që kërkohet në këto momente decizive, ku skuadra duhet të shprehë aftësitë e saj në ndeshjen e radhës në kampionat, kur në Lushnjë do të vijë ekipi i Flamurtarit. Lushnja ditën e djeshme ka zhvilluar vetëm një seancë stërvitore, atë të pasdites, dhe ekipi ka udhëtuar për në Divjakë, ku ekipi do të qëndrojë deri ditën e diel, kur dhe do të kthehet për ndeshjen me Flamurtarin, vendimtare sa i përket ecurisë së ekipit lushnjar. Futbollistët që e kanë të ndaluar prononcimin për mediat, nuk flasin për asgjë kur u drejtohen pyetje, por nuk mbetet pa u kuptuar se ata do të jenë në fushë ditën e takimit me Flamurtarin vetëm për fitore, e cila ka filluar të gatuhet në një sërë masash. Kështu, seancat stërvitore gjatë këtyre ditëve të pushimit të kampionatit janë zhvilluar larg stadiumit “Roza Haxhiu”, në fushën sportive të Plugut, nga ku stafi teknik kërkohet një qetësi maksimale, për të qenë në gjendje të jenë të lirshëm psikologjikisht nga të gjitha ngarkesat emocionale. Gjithsesi, ngarkesa e seancave stërvitore është e lartë dhe pritet që ekipi të hyjë me një gjendje optimale fizike në takimin e radhës dhe jo vetëm kjo. Edhe puna për përsosjen e teknikës së futbollistëve ka marrë një kohë të konsiderueshme gjatë seancave stërvitore, ku puna me topin në krosime dhe lojë në zonë e ka përqendruar vëmendjen e stafit teknik karshi futbollistëve. Edhe pse ka pasur një rritje në lojën e saj gjatë dy takimeve të javëve të para të kampionatit, nga ana e futbollistëve të Lushnjës këtë javë kërkohet një impenjim i madh për të arritur një rezultat pozitiv ndaj Flamurtarit, ndaj të cilit disa nga specialistët e futbollit lushnjar janë shprehur se edhe barazimi nuk është alternativ. Futbollistët në të gjitha seancat stërvitore vrojtohen me kujdes jo vetëm nga stafi teknik dhe specialistët e klubit, por edhe nga tifozëria, e cila nuk ngurron të lërë mjaft nga punët e përditshme dhe të shkojë të shohë ecurinë e ekipit. Tifozët verdhejeshilë kanë mbetur keq kur ekipi i tyre i zemrës nuk ka arritur të marrë asnjë pikë në kampionat, por, gjithsesi, ata fanatikët nuk mungojnë të jenë optimistë. “Pavarësisht paraqitjeve të skuadrës sonë në kampionat, ku ka pasur vend për më mirë, ne do të jemi krah saj në ndeshjen me Flamurtarin. Madje mund të them, nga aq sa kam biseduar me dashamirësit e ekipit, se do të jemi jo më të paktë se në ndeshjen e parë të kampionatit. Ne e kemi treguar se i jemi gjendur ekipit pranë edhe në momentet e mira, por edhe ato të vështira. Besoj se prania jonë në stadium do t’i ngrohë dhe do të bëjë që atmosfera të jetë në favor të ekipit tonë,” – ka thënë Përparim Çela, një prej tifozëve më të zjarrtë të ekipit lushnjar.

  1. Flamurtari, udhëkryq për Malkon e Lushnjën

    Autori: Julian Kasapi
    Data: 14/09/2008
    Version Print Version Print

Lushnjarët janë duke punuar në këtë pak kohë që i ndan ata nga ndeshja e së dielës, kur për javën e tretë të kampionatit do të presin në “Roza Haxhiu” ekipin e Flamurtarit. Mangësitë e dy takimeve të para të kampionatit të shfaqura tek ekipi kanë qenë dhe epiqendra e punës së të gjithë faktorëve që punojnë për klubin e futbollit, si nga stafi teknik, specialistët dhe vetë futbolllistët, të cilët nuk duan të sjellin sërish ndonjë rezultat tjetër, veç fitores. Të urdhëruar për të mos u prononcuar për shtypin, ata nuk mund të mos e zbatojnë një urdhër të trajnerit Malko, urdhër i cili me sa duket mbështetet edhe nga drejtuesit e klubit. Sakaq, Malko prononcohet se ekipi ka përmirësime. “Vijmë pas dy javëve pushim të kampionatit dhe kjo fazë ishte shumë e mirë për ne, sepse pas dy javësh negative të ekipit tonë, kemi pasur kohë dhe jemi përgatitur për ndeshjen me Flamurtarin. Kemi punuar me të gjitha repartet, sidomos në repartin e mbrojtjes, ku eliminuam mangësitë që u vunë re në ndeshjen me Apoloninë. Amortizimi i mesfushës do të jetë epiqendra në ndeshjen me Flamurtarin, pa harruar sulmin. Kemi punuar shumë në finalizimin e aksioneve, gjë të cilën e kishim dobësi, pasi nuk kemi shënuar asnjë gol,” – ka thënë fillimisht trajneri i skuadrës së Lushnjës. Besimi se kjo skuadër ia vlen dhe do të tregojë forcën e saj në ndeshjen e nesërme me Flamurtarin, duket se është rrënjosur te secili prej verdhejeshilëve dhe numri një i stolit lushnjar nuk e fsheh optimizmin. “Besoj se ndeshja me Flamurtarin do të jetë një ndeshje shumë e fortë. Alternativa jonë e vetme është të dalim me sukses, pasi nuk kemi alternativë tjetër. Kemi punuar me repartet në veçanti, duke synuar për t’i bashkuar në lojë dhe ndërthurur së bashku. Kemi punuar mjaft në këto dy javë dhe kam bindjen se ka qenë një 2-javësh rikuperues për ne. Kemi folur gjithë javës për problemet e hasura nga futbollistët dhe kemi zhvilluar seanca stërvitore paradite e pasdite dhe në analizat që janë bërë, janë shënuar problemet që kemi pasur. Mendoj se e kemi arritur një gjendje mjaft të mirë, si fizike, teknike, ashtu dhe atë psikologjike të futbollistëve. Besoj dhe jam shumë optimist se do të arrijmë kthesën me ndeshjen e së dielës ndaj Flamurtarit,” – e ka përfunduar prononcimin e tij trajneri Sajmir Malko, i cili së bashku me skuadrën që drejton, gjendet vërtet para një ndeshjeje decizive. Duke parë edhe situatën, ku futbollistëve u duhet të jenë të qetë dhe larg presioneve, drejtuesit e klubit të futbollit të Lushnjës kanë vendosur që ekipi të grumbullohet në Divjakë që ditën e enjte, por kjo është shtyrë dhe ekipi është nisur për aty vetëm pas seancës stërvitore të ditës së djeshme dhe do të kthehet në Lushnjë vetëm pak orë para fillimit të ndeshjes. Grumbullimi i ekipit në Divjakë i ka sjellë rezultate pozitive skuadrës në të kaluarën, kur kujtojmë se një fitore rezultoi dhe ndeshja e “play off”-it me Kastriotin, ku lushnjarët, atëherë të drejtuar nga Artan Bano, morën “biletën” e superligës.

Artikujt jane marre nga Gazeta SportiShqiptar!

Lushnja, transferta në Peqin nuk e tremb

Verdhejeshilët kërkojnë suksesin e parë jashtë fushës së tyre, edhe pse përballë është Shkumbini

Lushnjarët do të përballen sot në Peqin me ekipin vendës të Shkumbinit, për javën e gjashtë të kampionatit. Pavarësisht gjendjes së ekipit lushnjar, qetësia zotëron në kampin verdhejeshil. Futbollistët ndodhen në Divjakë që prej ditës së enjte dhe kjo jo vetëm për faktin se duhet të jenë sa më të qetë për këtë sfidë, por edhe për shkak se regjimi është konsideruar një pikë me të cilën duhet treguar më shumë kujdes. Në dispozicion të stafit teknik, të udhëhequr nga Malko, janë të gjithë futbollistët, përfshi edhe ata që kanë vuajtur dëmtime, apo edhe dënime. Eshtë transferta e tretë për lushnjarët dhe deri më tani futbollistët janë kthyer pa asnjë pikë, pa shënuar as gol në portat e kundërshtarëve. Sigurisht, tempi i lojës nga java në javë ka ndryshuar mjaft pozitivisht për lushnjarët, por mbetet ende zhbllokimi nga rezultatet, të cilat nuk po vijnë. Në takimin e sotëm, lushnjarët do të kenë në përbërje formacionin që është cilësuar më i miri dhe do të ketë në përbërje këta futbollistë: Spaho, Hasalla, Dhima, Xhafa, P.Arbri do të jenë sipas të gjitha gjasave përbërësit e repartit të prapavijës lushnjare. Reparti organizativ i mesfushës do të ketë E.Çelën, Koreshin, Sekserin dhe G.Çelën, ndërsa pritet që reparti i avancuar të jetë ai i shfrytëzuar në ndeshjen me Dinamon, Bubeqi dhe K.Arbri. Futbollistët lushnjarë janë optimistë, po ashtu edhe drejtuesit, të cilët kanë shpresa të dalin me pikë nga Peqini. Ndërsa trajneri Malko ka treguar ambiciet e tij një ditë më parë në gazetë, futbollistët nuk duan të prononcohen, pasi e konsiderojnë këtë para ndeshjes si jo të gjetur. “Do t’i themi në fushën e lojës të gjitha,” – të thonë lushnjarët, të cilëve u kanë kaluar mjaft sfida të rëndësishme pa marrë pikë, aq më tepër jashtë fushës së tyre.
Sakaq, tifozët “e sëmurë” verdhejeshilë premtojnë sërish mbështetjen e tyre për ekipin në këtë transfertë dhe sigurisht që kjo është mjaft pozitive, duke parë se rezultatet nuk i kanë kënaqur aq sa duhet. Kampi verdhejeshil në këto ditë të përgatitjeve të kësaj sfide është i gjithi me mendime të qarta dhe shpreson në një takim të denjë prej të dy ekipeve në fushnë e lojës.

Kërkohet një sponsor për ekipin e Lushnjës

Pas tërheqjes së presidentit Sanxhaku, fliten nën zë disa firma për sponsorizim për ekipin

Ekipi i Lushnjës është dukë bërë përgatitjet për sfidën e radhës në kampionat, kur do të luajë në transfertë në Peqin ndaj ekipit të Shkumbinit. Takimi është duke u vlerësuar në maksimum nga të gjithë futbollistët e ekipit, të cilët janë të ngarkuar me përgjegjësi që kanë dalë nga ndeshja e javës së kaluar ndaj Dinamos. Pavarësisht se Lushnja ka humbur në këtë sfidë të kampionatit, gjithçka po përgatitet në mënyrë të tillë që ekipi të jetë në gjendje të përballojë një ekip si Shkumbini në transfertë. Kështu gjithçka ka nisur me seancat stërvitore, të cilat janë bërë në fushën sportive të Plugut dhe ku ekipi ka hedhur të gjitha hapat për një strategji, e cila duhet të rezultojë fituese dhe gjithë puna është bërë në këtë aspekt nga stafit teknik dhe futbollistët. “Megjithëse jemi një ekip në pozita jo të tilla, siç është Shkumbini, ne nuk do të udhëtojmë në Peqin si humbës. Ekipi i Lushnjës nga java në javë është duke e rritur performancën e tij dhe vetëm për fatin e tij të keq nuk ka mundur të arrijë atë që i nevojitet, pra fitoren,” – ka thënë Erlind Koreshi, i cili ka vazhduar më tej: “Loja e ekipit lushnjar në javën e kaluar ndaj Dinamos ka lënë për të dëshiruar në pjesën e parë, por në pjesën e dytë nuk ka ndenjur prapa dhe ka bërë më të mirën. Ndeshja me Dinamon na tregoi edhe një herë se ne nuk ishim të përgatitur sa duhet për të pritur kundërshtarin dhe kemi lënë mjaft për të dëshiruar. Këto të gjitha i kemi diskutuar dhe tashmë kemi një ide të qartë për ndeshjen e radhës. Gabimet tona duhet t’i eliminojmë në Peqin.” Por pavarësisht deklaratave që vijnë nga kampi lushnjar për korrigjime, ajo që duhet pranuar është morali te futbollistët, por edhe te stafi teknik. Kjo jo vetëm nga humbjet, por edhe nga tërheqja e presidentit Sanxhaku, i cili i ka dhënë shumë futbollit në dy vjetët e fundit. Të gjithë janë trembur për financat dhe kjo është normale në futbollin e sotëm. Dihet që me nismën e Sanxhakut këshilli bashkiak ka miratuar jo pak fonde për ekipin e futbollit. Ndërsa tani mund të jetë ndryshe. Nën zë fliten emra sponsorësh, por kjo është bërë e modës në Lushnjë, sepse tifozët pak besim kanë që ndonjë firmë e fuqishme të investojë për ekipin verdhejeshil, duke parë që nuk është në kryeqytet. Gjithsesi, nga njerëz të ndryshëm të sportit në qytet po bëhen përpjekjet e para për të afruar pse jo një grup sponsorësh, që do t’i jepnin më shumë impuls ekipit dhe do të rrisnin edhe besimin e të gjithë aktorëve në klubin e Lushnjës. Mbetet për t’u parë në ditët në vazhdim se çfarë do të ndodhë, por më kryesorja është që ekipi të kalojë gjendjen, për të dalë sa më parë te rezultati, pse jo që të shtunën në Peqin me Shkumbinin, edhe pse rivali është i fortë në fushën e tij.

Sanxhaku tërhiqet, Lushnja në “hall”

Ashtu siç kishte pohuar, kryebashkiaku i Lushnjës dhe presidenti i ekipit largohet nga drejtimi

Ekipi i Lushnjës jo vetëm që nuk po gjen sigurinë e pikëve në këto 5 javë të kampionatit, por që prej ditës së hënë vijon edhe pa një president. Problemet e vëna re në ecurinë e ekipit e kanë detyruar presidentin Albert Sanxhaku të largohet nga drejtimi i klubit të futbollit. Sanxhaku, në fjalën e tij para futbollistëve të ekipit para ndeshjes të së shtunës ndaj Dinamos, kishte premtuar edhe premio, një shumë të konsiderueshme financiare, dhe vetëm në rast fitoreje do të vazhdonte të drejtonte klubin verdhejeshil. Në të kundërt, ai do të shkëpuste përfundimisht lidhjet dhe impenjimet e tij me futbollin. “Jam tepër i zhgënjyer me rezultatet e ekipit dhe kjo është dhe arsyeja që do të ndërpres vazhdueshmërinë e interesit për të. Kemi investuar mjaft në këtë ekip dhe kemi marrë vetëm rezultate negative. Tashmë, pas gjithçkaje që kam bërë, e shoh të pamundur për të qenë në krye të këtij klubi. Sigurisht, që prej kohës që kam qenë në krye të klubit, kam asistuar në të gjitha ndeshjet, si vitin e kaluar, ashtu edhe këtë sezon. Arritëm ta futim Lushnjën në superligë, por ky ekip që nuk të jep kënaqësinë për kohën e përkushtuar në të dhe për investimet e bëra, nuk më bën të vazhdoj më tej. Do të jetë dikush tjetër ndoshta që do të punojë e të ketë atë impenjim që unë e kam pasur. Nga ana jonë si pushtet vendor, do t’i kushtojmë rëndësinë që meriton,” – ka thënë Sanxhaku për vendimin e tij.
Paraditen e djeshme është zhvilluar një seancë stërvitore në kuadër të fillimit të përgatitjeve për ndeshjen e radhës, ku ekipi do të luajë në transfertë me Shkumbinin, ndërsa pasdite është zhvilluar një seancë tjetër, pasi është folur gjatë edhe për ndeshjen e së shtunës. Ndërkohë që situata është ende e paqartë, priten ngjarje të tjera rreth postit që ka lënë Sanxhaku. Kjo tërheqje vjen edhe pas largimit të shefit të klubit fill pas ngjitjes së Lushnjës në superligë gjatë muajit qershor, pas tërheqjes së ish trajnerit Bano vetëm 2 javë para fillimit të këtij sezoni futbollistik në fillim të muajit gusht. Ndërsa këto tërheqje kanë qenë për arsye personale, kjo e Sanxhakut vjen pasi rezultatet e ekipit nuk janë konsideruar në lartësinë e duhur prej këtij të fundit. Të presim se si do të precipitojë situata, pasi futbollistët dhe stafi teknik i skuadrës janë ende të paqartë për të ardhmen e tyre.

2 Komente

2 responses so far ↓

Lini një Koment