Kombetarja

Han: Më 19 nëntor dua kundërshtar të fortë

Kreu i FSHF-së Armand Duka do të shfrytëzojë mbledhjen në FIFA, për të diskutuar me homologët për miqësoren

Kundërshtari i fundit i kuqezinjve (Lihtenshteini) në miqësoren e 20 gushtit, nuk i pëlqeu trajnerit Ari Han, i cili e shprehu disa herë këtë fakt, gjatë konferencave për shtyp në prag të ndeshjeve eliminatore. Dy përballjet e radhës të kombëtares sonë janë me Hungarinë më 11 tetor dhe me Portugalinë katër ditë më vonë, ndërsa më pas Shqipëria pritet të zhvillojë një ndeshje miqësore në datën e lirë të FIFA-s, më 19 nëntor. Ky test do të jetë i fundit për trajnerin kuqezi Ari Han, në kuadër të ndeshjes së radhës eliminatore, që është përsëri në transfertë, këtë herë me Maltën, më 11 shkurt të vitit 2009.
Holandezi i pankinës kuqezi, përsëri nuk ka ndryshuar mendim për sa i përket kundërshtarëve që parapëlqen për këtë miqësore. Edhe pse këtë herë nuk ka përmendur ndonjë emër konkret, gjithsesi porosinë e tij e ka lënë për FSHF-në. “Për miqësoren e 19 nëntorit, pavarësisht se ndeshje më të afërt do të kemi Maltën, nuk dua kundërshtar të një niveli, siç ishte Lihtenshteini. Kërkoj që të bëhet maksimumi, për të gjetur një kundërshtar të fortë, me të cilin të kemi se çfarë të shikojmë nga skuadra,”- ka thënë trajneri i kombëtares, Ari Han. Dhe për ta realizuar këtë, do të përpiqet pikërisht kreu i institucionit të futbollit shqiptar, Armand Duka. Ky i fundit, të hënën do të udhëtojë drejt Zyrihut, ku ndodhet selia e FIFA-s. Në mbledhjen që do të zhvillohet me presidentët e federatave, Duka do të shfrytëzojë rastin për të kontaktuar me homologët. Burime pranë tij bëjnë të ditur se me 100%, kundërshtari i miqësores së 19 nëntorit do të mësohet direkt pas bisedimeve që Duka do të bëjë në Zyrih. “Presidenti do të bëjë të pamundurën për të gjetur një kundërshtar të pranueshëm, që u shkon për shtat ideve të trajnerit Ari Han. Natyrisht, do të tentohen ekipe mesatare, jo ato të nivelit të ulët. Shanset janë më të mëdha për luajtur me një kundërshtar të fortë, pasi duke qenë se ndeshja e radhës eliminatore luhet jashtë, pritet që edhe miqësorja të luhet në transfertë. Natyrisht, emrat e mëdhenj e kanë të zënë këtë datë, por pothuajse gjysma e skuadrave ende nuk e kanë gjetur kundërshtarin,”- tregojnë për “Sportin shqiptar” burime zyrtare në FSHF. Emrat konkretë, se me kë do të tentojë të hyjë në bisedime presidenti i FSHF-së, nuk bëhen e ditura, por një gjë është e sigurt: “Trajnerit Ari Han për këtë miqësore do t’i plotësohet dëshira për një kundërshtar të fortë, natyrisht kombëtare të pranueshme, pasi një ndeshje me emra të mëdhenj të futbollit europian është gati e pamundur,”- shtojnë burime në federatë. Një pjesë e mirë e skuadrave, përjashto ato me emër, e kanë lënë për ta zgjidhur miqësoren gjatë këtij muaji, kjo në kuadër të ndeshjeve eliminatore për botërorin 2010. Më 19 nëntor, me shumë mundësi, Shqipëria do ta luajë ndeshjen miqësore jashtë fushe.

Genc Tomori, pasuesi i Shpëtim Duros te Kombëtarja U-17

Largimi i trajnerit Shpëtim Duro, në fakt shkarkimi i tij nga krerët e FSHF-së, e la vakant stolin kuqezi të kësaj grupmoshe. Por kjo gjë nuk ka zgjatur shumë, pasi Genc Tomori është komanduar trajner i kombëtares U-17. Të paktën, ky do të jetë trajneri i kuqezinjve 17-vjecarë, deri në fund të eliminatoreve të Kampionatit Europian të kësaj moshe. Tomorri do t’i drejtojë kuqezinjtë në ndeshjet kualifikuese të Grupit 10, që do të zhvillohen në Finlandë, ku bëjnë pjesë edhe Bjellorusia e Maqedonia. Genc Tomorri është njëkohësisëht edhe Drejtori i Akademisë së Partizanit. Kombëtarja U-17 do ta luajë ndeshjen e parë të radhës kundër vendasve të Finlandeës, më 23 shtator, ku do të përpiqet të marrë një rezultat pozitiv, ashtu si kundër Bjellorusisë e Maqedonisë. Finalet e Kampionatit Europian U-17 do të zhvillohen në Gjermani, nga data 6-18 maj 2009.

Eliminatoret e U-17

Grupi 10
23.09.2008: Finlandë-Shqipëri (ora 15:00)

25.09.2008: Shqipëri-Bjellorusi (ora 15:00)

28.09.2008: Maqedoni-Shqipëri (ora 13:00)

Duka: Euforia, armiku i futbollit shqiptar

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, tregon si i ka përjetuar dy ndeshjet e kombëtares dhe jep vlerësime për to

Nga Bashkim Tufa

Kishte kaluar ora 23 së mërkurës… Entuziazmi për fitoren 3-0 ndaj Maltës kishte shpërthyer në mjediset rrotull “Qemal Stafës”. Sapo u ul në kafen poshtë stadiumit presidenti i FSHF-së, Armand Duka, lëshoi një “uf” të madh lehtësimi. Kur hoqi xhaketën, këmishën e kishte sikur e kishte futur në ujë nga djersët, a thua se edhe ai kishte luajtur në fushën e lojës.

Pasi e uruam për fitoren dhe suksesin e kuqezinjve, nisëm të bisedonim me presidentin Duka për lojën, për futbollistët, për gjithçka që kishte të bënte me kuqezinjtë. Për asnjë çast nuk e harruam bisedës që kishim lënë përgjysmë pas barazimit me Suedinë, madje e përdorëm edhe si pikë krahasuese midis dy lojërave të kombëtares sonë në këtë start të Botërorit 2010. Nuk i shkruajtëm këto në numrat e mëparshëm të gazetës, me synimin që pasi të kalonin një apo dy ditë, kur gjërat të ishin të qarta dhe mendimet më të kthjellta, të zhvillonim një bisedë tjetër me presidentin e FSHF-së, Armand Duka, jo vetëm rreth paraqitjes së kuqezinjve tanë në këto dy ndeshje, por edhe më gjërë. Presidenti Duka u tregua i gatshëm, duke iu përgjigjur pyetjeve tona, bisedë të cilën do ta ndiqni më poshtë:

– Keni kërkuar 4 pikë në dy ndeshjet e para eliminatore për Botërorin 2010 dhe i keni marrë. A ndiheni i lehtësuar tani që e keni realizuar synimin tuaj?

– Në të vërtetë, kam kërkuar më të mirën në këtë fillim edicioni nga kombëtarja jonë. Kam kërkuar që ajo të tregojë vlerat e lojës së saj. Me katër pikë jam i kënaqur, por po të ishte për të kërkuar apo për të qenë i lumtur, do të isha me gjashtë pikë. Megjithatë, mendoj se kemi arritur tri gjëra të mëdha: Së pari, kemi fituar besimin e tifozerisë tonë të zjarrtë, i cili është vënë në dyshim në fundedicionin e kaluar pas dy humbjeve të skuadrës. Së dyti, kemi bërë një fillim të mirë të edicionit. Dhe së treti, skuadra ka më tepër besim te vlerat e saj.

Ju kam ndjekur nga afër në të dy fundndeshjet. Pas Suedisë m’u dukët se ishit i lumturuar, ndërsa pas Maltës sikur kishit lënë pas një shqetësim të madh. Pse këto dy gjendje të ndryshme?

– Të mos tregohemi euforikë. Endrra, jo vetëm imja, por e kujtdo që merret me futboll dhe e ndjek atë, është të sigurojë vendin e parë. Askush nuk mendoj se hyn në lojë për të humbur dhe askush nuk e dëshiron atë. Por kur kthehemi në realitet, kemi të bëjmë me gjëra krejtësisht të ndryshme. Kemi të bëjmë me skuadra të mëdha, me lojtarë të mëdhenj. Mjafton të përshkruash klasin e Ibrahimoviçit për të kuptuar ç’ka ndodhur në fushë. Sa i takon pyetjes, mund të them se mua gjithmonë më shqetësojnë kundërshtarë të vegjël si Malta, me të cilët Shqipëria mund të gabojë më lehtë. Sa u takon ndeshjeve me të mëdhenjtë, mund të them se jam më i qetë. Sepse më bind fakti që ekipi do të japë maksimumin në këto ndeshje.

A mund të na jepni ndonjë vlerësim dhe impresionet tuaja për lojën e kuqezinjve tanë për secilën nga të dy ndeshjet?

– Një impresion i jashtëm mund të ishte ky: Për ndeshjen e parë, kam parë një Shqipëri thjesht perfekte. Një Shqipëri, e cila e dinte mirë se përse kishte hyrë në fushë dhe këtë e ka treguar pa ndroje nga minuta e parë deri tek minuta e fundit e ndeshjes. Duke mos llogaritur, dy-tre gabime të vogla, mendoj se ishte një nga ndeshjet e interpretuara më mirë në fushën e lojës. Për takimin e dytë, të cilin e theksoj se ishte psikologjikisht më i vështirë se i pari, mendoj se skuadra i ka zgjidhur më shumë individualisht detyrat e saj, duke shfrytëzuar aftësitë individuale të lojtarëve. Anti Malta, ishte një “seri e dytë” e ndeshjes me Suedinë, për në këtë ndeshje “personazhi” (pra loja individuale) zinte më shumë vend se “skenat kolektive”. Më shqetëson shumë fakti që në një ndeshje në Tiranë, me një kundërshtar më inferior, ngarkohemi me tre kartonë të verdhë, që mund të na penalizojnë në të ardhmen.

Para fillimit të eliminatoreve keni deklaruar se kundërshtarët tanë në grup që duhen lënë pas janë Hungaria dhe Malta. Tani, pas këtyre dy ndeshjeve, mos keni ndryshuar mendim, qoftë edhe duke iu referuar faktit që jemi në krye të grupit?

– Jo, nuk kam ndryshuar mendim. Unë jam realist.

Trajneri Han, por edhe ndihmësi i tij De Jong, në mediat holandeze kanë deklaruar se, me pak fat, Shqipëria mund të renditet më lart se vendi i 4 t. Ju nuk e besoni këtë?

– Nuk jam në dijeni të këtyre deklaratave. Edhe në qoftë se janë bërë, s’besoj se mund t’i komentoj ato. Sigurisht, do të isha i lumtur në rast se trajnerët që drejtojnë skuadrën janë entuziastë dhe besojnë se ekipi mund të ecë përpara. Kjo më bën që të jem i kënaqur dhe të besoj në vlerat e skuadrës. Por njëherazi, jam i prirur të gjykoj me këmbë në tokë. Përpara kemi sfida të vështira dhe kundërshtarë seriozë.

Për të kapërcyer “ylberin” futbollit shqiptar i mungojnë mjaft gjëra dhe kushte. Për të mos i përsëritur të gjitha, pasi ndoshta kjo është një temë më vete, cila mendoni ju se është gjëja primare që duhet ndrequr?

– Mentaliteti. Futbolli është i të gjithëve. Dhe që ai të ndryshojë, kërkohet kontributi i të gjithëve. Në rast se futbolli, nuk do të marrë mbështetje maksimale nga të gjithë, atëhere misioni i tij do të jetë i vështirë. Ky sport ka ekzistuar në Shqipëri pa qenë ky staf dhe ky president që drejtojnë aktualisht FSHF-në. Ekziston sot dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Por që të zhvillohet, ai kërkon mbështetje maksimale, që për fat të keq nuk jepet. Majfton të përmend “Ligjin Vrasës” të terreneve sportive për ta kuptuar ç’ndodh.

Stafi holandez i trajnerit Ari Han, me këto 2 ndeshje ka bërë edhe debutimin zyrtar në krye të kuqezinjve. Duke mos iu referuar vetëm rezultateve teknike, a jeni i kënaqur me zgjedhjen që keni bërë?

– E kam thënë edhe para pak kohësh. Për mua, si president i Federatës Shqiptare të Futbollit, trajneri më i mirë është Ari Han. Sa kohë ai drejton Shqipërinë, nuk do të dyshoj te kjo zgjedhje. Mendoj se e ka interpretuar përgjithësisht mirë. Qoftë edhe për hir të faktit, që ju si mendia e keni kritikuar pak apo aspak për zgjedhjet e tij në fushë gjatë dy ndeshjeve.

Në fushë luajtën kuqezinjtë, rezultatet e tyre tani dihen. Por jashtë fushës si “luajti” ekipi në “hije” i federatës?

– Mendoj se është bërë një punë e mirë dhe voluminoze gjatë kësaj periudhe të ngjeshur me ndeshje. Sigurisht, nuk është më e mira, por duke pasur parasysh intensitetin e takimeve, mendoj se edhe jashtë fushës kemi luajtur mirë. Fillimi i këtij edicioni ka nisur me një seri gjërash ndryshe, të cilat edhe ju vetë si media i keni evidentuar, p.sh “Fun club”, apo iniciativa të tjera. Mendoj që në të ardhmen do të prisni surpriza të tjera, të cilat do t’jua afrojmë sapo të na jepet mundësia.

Cili është mesazhi, porosia juaj për futbollistët kuqezinj, por njëherësh edhe për tërë futbollin shqiptar, kur tani sapo kemi nisur si eliminatoret, por edhe sezonin e ri futbollistik?

– Armiku më i madh i futbollit shqiptar është euforia. Mendoj se duke analizuar me seriozitet dhe këmbë në tokë këto dy ndeshje, do të arrijmë në konkluzione, të cilat do të na ndihmojnë shumë në të ardhmen. Për ta mbyllur, mesazhi im është i thjeshtë: “Punë, përqendrim dhe sakrificë. Të gjitha bashkë, me displinë dhe thjeshtësi”. Ky mendoj se është maksimumi.

Skela: Kjo, një Shqipëri me karakter të fortë

Fantazisti i kombëtares shikon një grup të kristalizuar, që është gati të marrë maksimalen në transfertë

Ervin Skela, “truri” i mesfushës kuqezi, ka deklaruar për “Sportin shqiptar” se kjo kombëtare është me karakter të fortë. Ky mendim i vlonjatit vjen menjëherë pas dy ndeshjeve të para, kur është krijuar një përshtypje për ekipin kombëtar, të drejtuar nga Ari Han. Sipas fantazistit, tashmë Shqipëria është gati për të marrë maksimalen edhe në ndeshjet jashtë fushe, duke filluar nga ajo e radhës me Hungarinë, më 11 tetor. Edhe pse është herët për të folur në lidhje me këtë përballje, Ervin Skelën është optimist, teksa shikon një të ardhme pozitive. Megjithatë, për fantazistin ndeshjet duhen marrë një e nga një. “Në fillim të eliminatoreve thamë që duhet të përqendrohemi shumë te kundërshtari i radhës dhe ia arritëm. Objektivin për këto dy ndeshje, ku morëm katër pikë, e realizuam, dhe për këtë jemi të kënaqur. Edhe pse duhet një muaj nga ndeshja e radhës me Hungarinë, personalisht mezi e pres ditën e grumbullimit. Shikoj me kënaqësi të madhe që grupi është kristalizuar shumë mirë dhe të gjithë çunat kanë një karakter shumë të fortë. Jemi me të vërtetë një grup i mirë futbollistësh, që besoj se të bindin për një vazhdimësi pozitive. Ne si lojtarët më të vjetër, duhet të ndihmojmë të rinjtë. Gradualisht ata po e tregojnë veten e tyre dhe për këtë i komplimentoj,”- tregon Skela. Futbollisti nuk ka kohë për ta gëzuar këtë moment të mirë me kombëtaren, teksa dje u nis menjëherë drejt Gjermanisë. Të shtunën, ekipi tij, Energia Kotbus, ka një ndeshje të vështirë jashtë fushe me Verder Bremenin dhe Skelës i duhet të jetë në 100%. Ndërkohë, si një artist i vërtetë, kur ka topin, mesfushori duket gati i pazëvendësueshëm në kombëtare, ndërkohë që mendimet e tij para ndeshjes me Suedinë dhe Maltën, kanë rezultuar të drejta.

“E kisha thënë edhe më parë, që ndeshjet ndaj të tillë kundërshtarëve si Malta, janë gjithmonë të vështira. Kjo, sidomos me mënyrën e lojës që ne bëjmë. Humbëm disa raste dhe, kur ndodh diçka e tillë, krijohet edhe njëfarë mosbesimi. Gjatë lojës pyet veten se si ka mundësi. Por ndërkohë minutat kalojnë dhe gjithçka bëhet më e vështirë,”- kujton Skela nga fitorja 3-0 e Shqipërisë me Maltën, një rezultat që e ngjiti ekipin në krye të grupit 1, me katër pikë. Për këtë të fundit, mesfushori nuk do të ndalet, por thekson se ndaj Maltës duhet të shënoheshin më shumë gola.

“Sikur na çliroi goli i Bogdanit, por nuk duhet t’ia falim vetes ato raste të pastra që humbëm gjatë lojës, sidomos në pjesën e dytë. Krijuam goxha dhe duhet të shënonim më shumë, por gjithsesi fitorja ishte plotësisht e merituar,”- përfundon 31-vjeçari. Në fund, Skela flet edhe për ekipin e tij. “Të gjithë futbollistët tani duhet të shkojnë në klubet e tyre, për të bërë mirë punën aty. Kotbusi nuk e ka nisur mirë Bundesligën, por kjo s’na shqetëson shumë. Sezonin e kaluar ishim më keq dhe asnjë nuk e besonte që qëndruam në Bundesligë. Jemi një ekip “i vogël”, por futbolli ka treguar që suksesi arrihet falë lojës në grup.”

Kuqezinjtë, protagonistët e fitores me Maltën

Fitorja 3-0 ndaj Maltës i ka kënaqur kuqezinjtë, aq më tepër që kemi siguruar kreun e grupit tonë kualifikues, me pikë të barabarta, 4, me Suedinë dhe Danimarkën, por falë golaverazhit jemi para nordikëve. Sidoqoftë, loja e kombëtares kuqezi ndaj Maltës nuk ka bindur, ka qenë e paqartë dhe jo shumë harmonike, në aspektin taktik, gjë që e ka mërzitur deri diku trajnerin Han. Me konkretisht, le të njihemi me mendimet e protagonistëve kuqezinj, të cilët arritën një fitore me mjaft vlera ndaj maltezëve dhe për një muaj do të kryesojnë grupin.

Han: Duhet të kishim fituar më lehtë
“Fitorja gjithmonë të shijon, pavarësisht se si është arritur.” Këto janë fjalët e para të artikuluara nga trajneri Ari Han në konferencën për shtyp, pas ndeshjes me Maltën. Holandezi i pankinës kuqezi është shfaqur mjaft i përmbajtur nga kjo fitore e merituar, ndryshe nga pjesa tjetër e ekipit, që ka gëzuar pa fund. “Vërtet kemi fituar, madje me rezultat të thellë, por na ka kushtuar shumë nerva. Kjo kombëtare i ka mundësitë të luajë shumë më mirë. Në dy ndeshje kemi marrë atë që kemi merituar, por duhet të rritemi për sa i përket lojës,” – është shprehur Han. Fjalët e Hanit nuk janë kritikë ndaj kuqezinjve tanë, por një realitet që duhet marrë në konsideratë, nëse duam vërtet të përmirësohemi dhe të rritemi si kombëtare. “Po ta analizojmë me kujdes ndeshjen, vëmë re se kemi humbur shumë shanse. Është sinjal i qartë se duhet të rritemi më shumë si skuadër. Mund ta kishim mbyllur ndeshjen që në pjesën e parë, duke pasur parasysh rastet që kemi humbur. Po të kishte shënuar Bulku që në fillim të takimit, kur iu dha rasti, do ta kishim pasur shumë më të lehtë. Për fat të mirë, kemi mundur të shënojmë në fund të pjesës së parë dhe kemi shkuar në dhomat e zhveshjes më të qetë. Kemi thyer tabunë, duke arritur tri rezultate pozitive rresht,” – ka vijuar holandezi i stolit kuqezi. Ari Han është munduar ta ruajë euforinë e fitores së thellë, duke vënë në pah më shumë mangësitë e kundërshtarit sesa meritat e kuqezinjve, Sipas tij, maltezët u shfaqën shumë të rrezikshëm në pjesën e parë, por në të dytën patën rënie të kondicionit fizik, çka i dha mundësi skuadrës sonë përfaqësuese ta arrinte më lehtë fitoren. “Malta, të themi të vërtetën, luajti fort dhe na krijoi shumë vështirësi, por në pjesën e dytë, ndryshe nga ne, pati rënie të kondicionit fizik,” – ka vijuar më tej trajneri Han. Shqipëria ka zhvilluar dy ndeshje, me formacione të ndryshme dhe në të dy rastet ka marrë atë që ka dashur. Hani është shprehur se ndryshimet i bëjnë shumë mirë skuadrës, pasi i jep mundësi të përballojë kundërshtarë të ndryshëm që shfaqin forca të ndryshme. “Natyrisht, kemi bërë ndryshime, për vetë faktin se kemi pasur kundërshtarë të ndryshëm. Në rastin e parë na është dashur të mbrohemi fort, ndërsa sonte (mbrëmë) me Maltën duhet të sulmonim për të shënuar. Taktika në këtë rast bëhet edhe më e vështirë. Skuadra ka luajtur shumë mirë dhe këto ndryshime na kanë forcuar. Canën e kemi në fillim në mbrojtje, pastaj e kemi kaluar në mesfushë. Bogdani në ndeshjen e parë qëndroi në stol, ndërsa me Maltën e kisha menduar titullar, pasi e dija se do të përshtatej më kollaj me këtë kundërshtar. Nuk mund të them se gjithçka ka shkuar mirë. Ka pasur edhe keqkuptime mes lojtarëve, në pozicionim dhe në ndërtimin e aksioneve,” – vazhdon më tej Han. Dy ndeshje, katër pikë. Askush nuk do të kishte pretenduar më shumë nga kjo kombëtare, të paktën para ndeshjes me Suedinë. Oreksi vjen duke grënë. Tifozët, drejtuesit e federatës po edhe vetë lojtarët tashmë kërkojnë më shumë. Në muajt në vazhdim na presin dy ndeshje tepër të vështira në transfertë, në fillim me Hungarinë e më pas me Portugalinë. Pavarësisht se për momentin mbajmë vendin e parë, do të jetë më shumë se e vështirë të ruhet ky pozicion. “Nuk mund të them asgjë për ndeshjet e ardhshme. Kemi kaluar me sukses dy ndeshjet e para dhe për momentin do të bëjmë analizën e tyre. Do të kemi kohë të mendojmë edhe për Hungarinë dhe Portugalinë. Kuptohet, në të ardhmen gjithçka do të bëhet edhe më e vështirë, pasi do të luajmë në transfertë,” – ka përfunduar trajneri i kombëtares kuqezi.

Bogdani: Golat e mi, vetëm për fitore
Erion Bogdani çliroi veten dhe tifozët me atë gol në sekondat e fundit të pjesës së parë. Duke çaluar nga dëmtimi i pësuar në fundin e ndeshjes, sulmuesi foli për “Sportin shqiptar”.
“Eshtë mirë kur i nis me gol ndeshjet e para eliminatore, por më shumë rëndësi ka që ekipi kombëtar arriti dy rezultate pozitive. Ishte një ndeshje shumë e vështirë, sepse Malta u mbrojt mirë dhe përdori kundërsulmin, por megjithatë shënuam tre gola dhe kjo ka më shumë vlerë. Katër pikë në dy ndeshje nuk janë pak. Tani për tani të gëzojmë këto rezultate, pasi e kemi kohën për të menduar Hungarinë. Për sa i përket dëmtimit, shpresoj të mos jetë serioz.” Në lidhje me këtë zhbllokim, Bogdani shtoi: “Golat e mi vlejnë vetëm nëse fiton kombëtarja. E kam thënë edhe më parë, që në ekipin kombëtar gjithnjë kam luajtur mirë, por edhe raste nuk kam patur. Në ndeeshje të tilla, ku krijojmë më shumë, natyrisht që edhe golat e mi do të vijnë.” Në ndeshjen me Maltën, sulmuesi kishte ndryshuar edhe numrin. “Nuk ka problem se me çfarë numri luaj, pasi zakonisht në kombëtare kam luajtur me 22-shin, ndërsa sot me 16-tën. Ky ndryshim ndodhi, sepse sipas ligjit të ri, futbollistët duhet të mbajnë numrat, nga 1 deri në 18-të,”- përfundoi sulmuesi kuqezi.

Duro: Treguam se jemi në rrugë të mbarë
E mendoja që mund të shënoja, por në radhë të parë duhet t’i bënim hyzmetin fitores, sepse pak rëndësi kishte kush bënte gol.” Ishte kjo deklarata e Klodian Duros pas ndeshjes, autori i golit të dytë ndaj Maltës. Duro punoi shumë në krahun e djathtë, aty ku dhe u bazua më shumë loja e kuqezinjve. “Me këtë nisje të mirë që i kemi bërë edicionit, mendoj se ekipi është në rrugë të mbarë për vazhdimësinë. Nisur edhe nga kundërshtarët, dy ndeshje nuk mund të bëhen njësoj. Duke ditur që ne duhet të bënim lojën ndaj Maltës, ekipi mendoj se rrezikoi pak në mbrojtje dhe krijoji situata të mira në sulm, duke e merituar plotësisht këtë fitore. E rëndësishme është që e realizuam objektivin e parë. Tani nisin edhe provat e vështira për Shqipërinë. Megjithatë, ne jemi të përgatitur dhe kemi kohën e duhur për dy ndeshjet e radhës në transfertë,”- tha mesfushori kuqezi, i cili tregoi një formë të mirë në dy ndeshjet e para eliminatore. 31-vjeçari ka një dedikim të veçantë për golin. “Ia dedikoj Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Me vizitën që bëri në mëngjesin e sotëm (djeshëm), na motivoi shumë. Mendoj se Presidenti Topi e meritonte këtë gëzim, ashtu si të gjithë shqiptarët.”

Dallku: Të vazhdojmë me rezultate pozitive
Mbrojtësi Armend Dallku realizoi dje golin e tij të parë me fanellën kuqezi. I kudondodhur, kosovari i kombëtares vulosi në fund fitoren 3-0, që sipas tij ishte plotësisht e merituar.
“Jam shumë i gëzuar për golin, por më e rëndësishme është që fituam. Nuk e kisha imagjinuar kurrë se në këtë ndeshje mund të shënoja,”- tregon futbollisti. – Roli im është mbrojtës, por me Maltën trajneri më dha detyra të tjera. U përpoqa të ndihmoja sulmin. Mendoj se bëra më të mirën time dhe në fund arrita të shfrytëzoj topin e ardhur nga goditja e këndit. E dominuam lojën dhe si rezultat i kësaj, me meritë arritëm të shënonim tre gola.” Dallku shikon një vazhdimësi pozitive të Shqipërisë, që luan dy ndeshjet e radhës në transfertë, fillimisht me Hungarinë, e më pas me Portugalinë. “Besoj shumë se do të vazhdojmë kështu, për të zhvilluar lojëra sa më të mira, dhe natyrisht për të arritur rezultate pozitive. Përpara kemi një transfertë shumë të fortë. Synimi ynë është të lëmë poshtë në renditje Hungarinë. Do të shkojmë për pikë atje dhe jam i bindur se do t’ia arrijmë qëllimit.”

“Skaneri” i kuqezinjve
Arjan Beqaj
Siguria në prapavijë mban emrin e tij. Në ndeshjen e mbrëmshme, të paktën në 2 raste, ai e ka shpëtuar skuadrën tonë nga gola të sigurt, duke ndërhyrë saktë me këmbë ndaj sulmuesve kundërshtarë. Portieri Beqaj zotëron çdo top në luftën në ajër, ndërkohë që dje ai ka treguar se di të luajë shumë mirë edhe me këmbë. Portieri kuqezi ka qenë mjaft i vëmendshëm në 90-minutëshin e djeshëm dhe në ndonjë rast ka lënë zonën e rreptësisë për të shmangur rrezikun. Ai ka një meritë të veçantë në marrjen e 4 pikëve nga kombëtarja shqiptare në 2 ndeshjet e para në grup.

Armend Dallku
Mbrojtësi i djathtë ka shënuar mbrëmë golin e parë me fanellën kuqezi dhe nuk e ka fshehur entuziazmin. Dallku ka vulosur rezultatin në 3-0, kur devijoi saktë me kokë topin e ardhur nga këndi. Futbollisti që luan në kampionatin ukrainas është nga ata që i përballojnë më mirë 2 ndeshje radhazi, por duket se ka shumë punë për të bërë në drejtim të kroseve, pasi del shpesh në fundore, por gabon në harkimin e topit. Megjithatë, mbrojtësi i palodhur, edhe për golin e shënuar në fundin e ndeshjes meriton fjalët më të mira.

Lorik Cana
Trajneri Han e ka aktivizuar këtë herë në mbrojtje, ndërsa në minutën e 54-t, kur Bulku u zëvendësua i dëmtuar, Cana ka kaluar në rolin e tij natyral. Gjatë pjesës së parë, bashkë me Currin në qendër, ka mbyllur thuajse çdo hapësirë për sulmuesin Misfud, më të rrezikshmin e maltezëve. Në pjesën e dytë, Cana është munduar ta shtyjë skuadrën përpara, në kërkim të golit të sigurisë. Edhe ai është nga ata lojtarë që japin siguri në prapavijën kuqezi, por duket se ka një rendiment më të mirë në mesfushë, ku ndërmerr shpesh edhe iniciativa personale.

Debatik Curri
Një nga lojtarët më stabël në lojën e tij dhe kolona kryesore e mbrojtjes kuqezi. Edhe në këtë ndeshje Curri ka qenë në formën e tij më të mirë, i pakalueshëm nga kundërshtari. Pavarësisht ndryshimeve që mund të bëhen në formacion nga trajneri Han, Curri duket se do të jetë i palvizshëm në qendër të mbrojtes. Ai është shumë i fortë fizikisht dhe ka treguar se mund të neutralizojë çdo sulmues kundërshtar, të çfarëdo kalibri qoftë. Duke pasur parasysh edhe moshën e re të këtij lojtari, pritet që në të ardhmen ai të jetë në nivele akoma më të larta.

Ansi Agolli
Shumë pak ka marrë përsipër të bëjë lojtari i Tiranës në këtë ndeshje. Trajneri Han, duke e aktivizuar në vend të Vangjelit, ndoshta i ka dhënë më tepër detyra mbrojtëse dhe duhet të ketë qenë kjo arsyeja që e “frikësonte” Agollin të avanconte përpara për të mbështetur Hykën. Mund të jetë e tepruar të kesh kaq shumë emocione, kur luan ndaj një kundërshtari si Malta, por ndoshta edhe atmosfera e nxehtë e tifozërisë kuqezi nuk e ka lanë mëngjarashin të shprehet lirshëm në stadiumin “Qemal Stafa”. Trajneri Han i ka besuar deri në fund, çka tregon se e ka në konsideratë.

Altin Lala
Kapiteni mbetet një “ikonë” në formacionin kuqezi. Altin Lala nuk kursen asgjë në fushë dhe jep maksimumin, edhe kur skuadra jonë ka mundësi ta administrojë rezultatin. Mesfushori i Hanoverit kërkon gjithmonë nga shokët që skuadra të bëjë më të mirën e mundshme. Ai e di më mirë se kushdo, që kur luhet ndaj një kundërshtari si Malta, tifozëria kuqezi dëshiron një lojë sa më të bukur dhe sa më shumë gola. Lala është përpjekur të mbrojë, por edhe të marrë pjesë në aksionet sulmuese të kombëtares tonë.

Ervin Bulku
Vendin e Canës trajneri Han ia ka besuar ish-mesfushorit bardheblu, që shquhet për forcë fizike. Bulku ka luajtur një pjesë të parë të mirë dhe, pavarësisht një dëmtimi të pësuar në kokë, ka shtrënguar dhëmbët dhe është përpjekur të japë 100-shin e tij në këtë ndeshje. Eshtë parë të dalë edhe përpara dhe në një rast ka futur një top të rrezikshëm në zonë për Bogdanin, por ky i fundit nuk ka arritur në kohë. Një provë pozitive për Bulkun, që në minutën e 54-t ia ka lënë vendin Elvin Beqirit, pasi nuk mund të vazhdonte më tej, për shkak të dëmtimit në kokë.

Klodian Duro
E ka kërkuar me ngulm një gol në ndeshjen e djeshme dhe në 2-3 raste ka qenë pa fat, por para se të zëvendësohej nga trajneri Han, e ka “vjedhur” golin e dytë, si për të treguar se është në një formë shumë të mirë për momentin. Duro pati rastin e parë për shënim në minutat e para, kur u shërbye nga Bogdani, por gaboi në gjuajtje. Po kështu, në pjesën e dytë bëri gjithçka mirë dhe gjuajti fort, por portieri mik ia mohoi golin. Duro ka meritë në golin e epërsisë së kuqezinjve, kur dha atë kros mjaft të saktë për Bogdanin në minutën shtesë të pjesës së parë.

Jahmir Hyka
Eshtë parë fare pak gjatë 45 minutave të para të ndeshjes, por jo për faj të tij, sepse shumë pak topa kanë shkuar në krahun e majtë. Ndryshe ka qenë në pjesën e dytë, kur Hyka ka qenë protagonist në disa raste, duke krosuar në zonën e rreptësisë. Në një rast të tillë erdhi goli i dytë i skuadrës sonë, kur Hyka hodhi një top në zonën kundërshtare, por Duro shënoi edhe falë ngatërrimit të mbrojtësit mik. Ka humbur një gol të sigurt, kur gjuajti jashtë brenda zonës, pas topit të marrë nga Dallku. Gjithsesi, është një lojtar i ri, që do të rritet në lojën e tij.

Ervin Skela
Nuk ka qenë në një ditë shumë të mirë fantazisti vlonjat, i cili, sidomos në 45 minutat e para, ka gabuar shumë herë në pasime. Megjithatë, ai ka mundur ta filtrojë topin në 2-3 raste, që nuk kanë sjellë rezultat. Ndoshta edhe lodhja bën të vetën, pasi kjo ndeshje u luajt 4 ditë pas atij 90-minutëshi sfilitës me Suedinë. Skela është përmirësuar në pjesën e dytë dhe, pavarësisht se nuk ka mundur të lërë gjurmë në këtë ndeshje, ku më shumë rëndësi kishte marrja e 3 pikëve dhe jo spektakli, kuptohet që është një nga lojtarët më të pjekur të formacionit kuqezi.

Erion Bogdani
Një nga gjërat më të rëndësishme të ndeshjes së djeshme ishte pikërisht zhbllokimi i Erion Bogdanit. Sulmuesi shtatlartë i kombëtares sonë kërkonte me çdo kusht të shënonte mbrëmë dhe kjo bëri që ai të hezitonte disi në rastet e para. Në minutën shtesë të pjesë së parë ai tregoi klasin e tij, duke devijuar bukur me kokë topin e krosuar nga Duro. Ka pasur një mundësi të mirë edhe në pjesën e dytë, por ka gabuar në gjuajtje. Ishte sulmuesi i vetëm titullar, ndërkohë që një tërheqje muskulore e ka detyruar në minutën e 72-të t’i lërë vendin Salihit.

Elvin Beqiri
Mbrojtësi shkodran, ndryshe nga ndeshja me Suedinë, e ka nisur nga stoli. Ai luajti 35 minuta të mira në pjesën e dytë, pasi zëvendësoi Bulkun. Aktivizimi i tij në qendër të mbrojtjes bëri që Cana të kalonte në mesfushë.

Hamdi Salihi
Më pak se 20 minuta për atë që ishte titullar në sulm me Suedinë. Nuk pati ndonjë rast të pastër shënimi, por edhe ai, për aq sa luajti, u përpoq ta ndihmonte skuadrën.

Besart Berisha
Vetëm 5 minuta ndaj një kundërshtari, ndaj të cilit ka pësuar një dëmtim, që e mbajti gjatë jashtë fushave. Tifozët e donin më shpejt në fushë, por trajneri Han i ka besuar fare pak.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s